Nëse jeni në gjimnaz në vitin e parë keni kohë deri në dhjetor 2023 të transferoheni lehtësisht nga gjimnazet e përgjithshme tek shkollat e mesme profesionale.
Ky lajm u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në një takim me drejtues të strukturave të shkollave profesionale, zyrave arsimore, institucioneve dhe strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe strukturave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, me fokus orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar orientimin drejt arsimit profesional, si një përgjigje ndaj zhvillimeve ekonomike, që aktualisht kërkon vendi dhe tregu i punës.
“Eshtë fjala për një reformë jetike, në kuptimin e plotë të fjalës për ekonominë tonë dhe për zhvillimin tonë social”,- tha kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një mobilizim të të gjitha institucioneve për të ecur shpejt drejt orientimit profesional.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Manastirliu, foli për instrumentat e rinj të krijuar në dy muajt e fundit, me qëllim orientimin gjithnjë e më tepër të nxënësve drejt arsimit profesional.
“Kemi ndërtuar një kurrikulë të re, bërthama e këshillimi të karrierës në shkollë, tashmë është një instrument që i vlen çdo shkolle, për të mundësuar që nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, të bëhet një evidentim të prirjeve të nxënësve, për t’i orientuar drejt arsimin profesional. Gjithashtu kemi instrumentin për transferimin deri në muajin dhjetor nga shkolla e mesme e përgjithshme, drejt shkollave profesionale, me një proces shumë të shpejtë, shumë të lehtë, nëpërmjet e-Albania”,- tha Manastirliu.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Manastirliu bëri me dije se deri tani janë transferuar 100 nxënës nga shkolla të mesme të përgjithshme, në shkollat profesionale.
“Për një periudhë afro 1-mujore në bashkëpunim me nxënësit dhe prindërit kemi mundur të realizojmë rreth 100 transferime drejt arsimit profesional. Ajo çfarë vëmë re është edhe fakti se 30% e tyre janë mbi mesataren 7, pra janë nxënës me rezultate mesatare-të larta, që po shkojnë drejt arsimit profesional. Sigurisht kjo është edhe një përpjekje për të ndryshuar mentalitetin”,- tha Ministrja Manastirliu.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur fushatën “Zgjidh Zanatin” në të gjithë shkollat e vendit me prindër, nxënës dhe mësues, për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional, si çelësi i suksesit për punësimin e sigurt. /arsimi.gov.al/