Universiteti Barleti ishte pjesë e panairit “Guida Studentore 2023”, një aktivitet i kthyer tashmë në traditë nga Bashkia e Tiranës, për t’i uruar mirëseardhjen studentëve që nisin vitin e ri akademik 2023-2024.
Pjesë e aktivitetit të zhvilluar më 30 tetor ishin universitet më konkurues në Tiranë dhe një sërë biznesesh që lehtësojnë jetën studentore në kryeqytet.
Stenda e Universitetit Barleti u vizitua nga dhjetra të pranishëm, të cilët u prezantuan nga stafi dhe vetë studentët barletas, me strukturën e UniBA dhe qasjen aplikative, ku parësore është ndërthurja e teorisë me praktikën, për të përgatitur një student të aftë për të ardhmen.
Të rinjtë që studiojnë në Tiranë, u pajisën me një guidë e cila do t’u shërbejë për të njohur më mirë kryeqytetin dhe për t’u integruar më lehtë në jetën e re studentore.
Guida Studentore 2023 u prezantua në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se karta e studentit do të zgjerojë gamën e shërbimeve si për ata që studiojnë në universitetet publike, edhe për ata të rinj që zgjedhin institucionet private të arsimit të lartë.