Klubi i Shkencave Sociale së bashku me Klubin e Shkencave Mjekësore, organizuan një aktivitet sensibilizues në datën 1 dhjetor, Dita Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA). Në këtë aktivitet anëtarët e grupeve përkatëse morën një informacion të përgjithshëm rreth sëmundjes nga specialistë të shkencave mjekësore, gjithashtu dhe një informim mbi anën psikologjike të përballimit me një sëmundje të tillë.
Të dy Klubet kishin përgatitur pankarta me mesazhe informuese dhe ndërgjegjësuese ndaj mbrojtjes ndaj virusit HIV, si dhe mos paragjykimit të personave të infektuar.
E vendosur që në vitin 1988, data 1 dhjetor përbën një ditë reflektimi dhe përpjekjesh, jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës. HIV-AIDS mbetet një nga sfidat e shekullit, edhe në Shqipëri.
Sipas OKB-së, 37.7 milion njerëz në mbarë botën ishin me HIV në 2020-ën, ndërsa 680 mijë vdiqën nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n, po vitin e kaluar. Që nga fillimi i shpërthimit të HIV-it, rreth 79.3 milion njerëz janë infektuar me HIV dhe 36.3 milion kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.
Nga 37.7 milionë njerëz që rezultuan me HIV në vitin 2020, 36 milion ishin të rritur, 53% gra dhe vajza e 84%, në dijeni për gjendjen e tyre. 1 Dhjetori bën bashkë njerëz nga e gjithë bota, për të rritur ndërgjegjësimin për HIV/AIDS-in e për të demonstruar solidaritet ndërkombëtar përballë pandemisë. 1 milion është numri i personave që vdesin çdo vit në botë nga HIV-i, sepse nuk e dinë që kanë HIV dhe nuk marrin mjekim ose e fillojnë mjekimin me vonesë.