Koordinatoret e Klubit të Talentit në fushën e mjekësisë, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) zhvilluan një takim informues me një grup të rinjsh rreth infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shëndetit të vajzave te reja.
Të rinjtë bashkëbiseduan me ekspertë të fushës Prof. Asoc. Dr. Lila Shundi, MSc. Lorena Mato dhe MSc. Inesa Delimeta, ku fokusi kryesor i diskutimit ishte virusi HPV- infeksioni me të cilin njihet si shkaktari kryesor për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.
Një bisedë e lirë edukative mes profesionistëve të fushës dhe këtij grupi, vuri theksin në rrugët e transmetimit, metodat parandaluese dhe kontrollet periodike për tu mbrojtur nga infektimi me HPV.
Duke patur parasysh moshën e re, të rinjtë u informuan për efektet pozitive të vaksinimit për HPV si dhe fushatën e vaksinimit kundër këtij virusi ku vajzat e grupmoshës 14-20 vjeç ftohen të bëhen pjesë në gjithë Shqipërinë. Takimi u mbyll me dëshirën e mirë për të zhvilluar diskutime të tjera të ngjashme rreth problemeve që shqetësojnë te rinjtë dhe që ata mendojnë se duhen sjellë shpesh në vëmendje.